Në mbështetje të VKM nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton:
Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e këstit të parë për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale për subjektet sipas listës së miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.900, datë 06.12.2011. Ky këst është në masën prej 47% të shumës së përgjithshme në të holla të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë, më datë 05 mars 2012 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat.
Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve rezultojnë në listën bashkëlidhur, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim.
AKKP ka ngritur grupin e punës i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjithë subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga “Muhamet Gjollesha”, nr.54, Tiranë.
Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listën që i bashkëlidhet këtij njoftimi sipas vendimit të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dymijë) lek dhe gjithashtu të hapin në emër të tyre, një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë.
Subjekti përfitues apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën sipas formularit tip, të plotësuar sipas rubrikave.
b) Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet çertifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur)
c) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;
d) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;
e) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe çertifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;
f) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.
Më shumë informacion dhe asistencë mund të merret në Drejtorinë e Kompensimit të Pronës në AKKP si dhe në faqen zyrtare të agjencisë www.akkp.gov.al.
Kliko ketu per Listën e Aplikantëve
DREJTOR I PËRGJITHSHËM
ELVIS ÇEFA