Njoftim për publikimin e regjistrit të vendimeve të cilët kanë njohur të drejtën për kompensim dhe vlerësimin e vendimeve të vitit 1995
Agjencia e Trajtimit të Pronave në zbatim të ligjit nr.133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar), ka përfunduar procesin e vlerësimit ekonomik të vendimeve përfundimtare, të vitit 1995, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit në të gjithë vendin dhe i ka bërë publike ato në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare nr.14, datë 08/05/2017, si dhe në faqen zyrtare web të ATP-së www.atp.gov.al.
Në përfundim të procesit të verifikimit të vendimeve të administruara pranë arkivës së ATP-së, u identifikuan gjithësej 6838 vendime të vitit 1995, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit subjekteve të shpronësuar, për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të dhënat lidhur me numrin e vendimit, gjeneralitetet e subjekteve të shpronësuar, sipërfaqja e njohur për kompensim, mangësitë në dokumentacion apo vlerësimin përkatës jepen të detajuara në regjistrin që shoqëron këtë njoftim.
Për vendimet e vlerësuara financiarisht të vitit 1995, subjektet mund të paraqiten pranë ATP-së për të aplikuar për ekzekutimin e vendimit të vlerësuar duke plotësuar formularin nr.1, si dhe dokumentacionin përkatës sipas VKM-së nr.223, datë 23.03.2016 për “Përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar).
Njoftojmë të gjithë subjektet e interesuar, të cilët evidentojnë të meta apo pasaktësi në këtë regjistër të bërë publik nga ana e ATP-së mbi vlerësimin ekonomik të vendimeve për kompensim, se në bazë të Ligjit 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” neni 16, pika 4 kanë të drejtë të plotësojnë dokumentacionin e munguar dhe të nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit. Me kalimin e afatit ligjor 6 – mujor për depozitimin e dokumentacionit shtesë të nevojshëm, Agjencia e Trajtimit të Pronës do të zbatojë parashikimet ligjore të përcaktuara për këtë kategori vendimesh përfundimtare për kompensim.
Me përfundimin e procesit të vlerësimit të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për vitin 1995, numri total i vendimeve të viteve 1993, 1994 dhe 1995 të publikuara arrin në 10,763 (dhjetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) vendime. Aktualisht ATP vijon punën me vlerësimin e vendimeve të vitit 1996 dhe në vijim sipas rendit kronologjik do të vlerësohen të gjitha vendimet që kanë njohur të drejtën e kompensimit brenda afateve ligjore.
ATP brenda një afati prej 14 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit nr.133/2015 ka arritur të realizojë vlerësimin e 41.4 % të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Afati i përcaktuar në ligj për përfundimin e vlerësimit financiar të të gjithë vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit është 3 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit. Me ecurinë e punës së deritanishme, kjo falë edhe sistemit digjital Web-Gis të ATP-së, ky proces pritet të përmbyllet përpara afatit kohor të përcaktuar në ligj.
Në përfundim, ATP fton të gjithë subjektet që për çdo informacion apo paqartësi lidhur me të dhënat e publikuara apo jo në regjistër, të paraqiten pranë sporteleve tona për të marrë informacionin e duhur.
Drejtor i Përgjithshëm
Sonila QATO