Njoftim Për Shtyp 11/04/2013

Në mbështetje tëVKM nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton:

Fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë më datë 15.04.2013 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat.

Me këtë rast AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.901, datë 12.12.2012 dhe nr.105, datë 23.01.2013“Për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim.

AKKP ka ngritur grupin e punës i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjithë subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë.

Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen Vendimeve të Këshillit të Ministrave ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani.

Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.

Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:

1.      Kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.

2.      Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet çertifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).

3.      Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;

4.      Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;

5.      Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6.      Çertifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit;

7.      Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.

 

Subjektet përfituese, këkresa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

 

DREJTORI I PËRGJITHSHËM

Avenir PEKA