Njoftim për shtyp 20/05/2016

Duke marrë shkas nga një artikull i shpërndarë në një nga rrjetet sociale, Drejtori Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave,reagon në sqarim të situatës së krijuar, ku fluksi i qytetarëve në ambientet e kësaj agjencie ka qënë shumë i madh:

Të nderuar qytetarë,

Si drejtuese e kësaj Agjencie, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe besimin e plotë se çdo administratë publike duhet të jetë në shërbim të qytetarëve të saj, ndjej rëndësinë e një reagimi ndaj një shkrimi kritik të bërë ditën e djeshme në drejtim të aktivitetit të ATP.
Ne këto tre vite ATP ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të reformuar një nga proceset më të gangrenizuar të shoqërisë sonë. Është realizuar një nga reformat ligjore dhe institucionale më të rëndësishme në fushën e pronave. Provë e saj është procesi i sapo nisur bazuar në ligjin e ri të pronave, Ligjin 133/2015. Provë e saj është pritshmëria e lartë e mijëra qytetarëve, pronarëve të cilët interesohen përditë në zyrat tona të cilat kanë qënë më të hapura se kurrë gjatë këtyre 25 viteve proces njohje pronësie, në shërbim të pronarëve.
Kushtet dhe ambientet e trashëguara te Agjencisë nuk janë ato që meritojnë këto qytetarë në shërbimin ndaj tyre, por ju sigurojmë se asnjëri prej tyre nuk do te dalë pa u shërbyer, pa realizuar mundësinë që i krijoi ky ligj, që për një afat 90 ditor të paraqesin kërkesën e tyre për njohjen e pronësisë me vetëm 2 dokumente, dhe jo te përcilleshin pa fund në dyert e gjykatave pa zgjidhje pa drejtësi.
Fluksi i madh i qytetareve në dyert e kësaj agjencie tregon se ata kanë besim në këtë proces. Qeveria po planifikon zgjerimin e ambienteve të kësaj Agjencie në funksion te realizimin të misionit të saj në shërbim të qytetarëve. Shumë shpejt kjo situate do të ndryshojë.
Kjo administratë është më shumë se kurrë në shërbim të pronarëve.
Sapo kemi çelur një proces të mbetur në ngërç prej 25 vjet të cilin do ta zgjidhim. Ky është vullneti ynë dhe për këtë kemi nevojë për besimin e qytetarëve në ketë proces.
I kërkojmë edhe njëherë ndjesë qytetarëve dhe kërkojmë mirëkuptimin e tyre. Ju bëjmë thirrje sërish, deri në date 23 maj 2016 të paraqiten pranë kësaj Agjencie vetëm ata qytetarë-pronarë te cilët nuk kanë aplikuar asnjëherë për njohje pronësie dhe e paraqesin këtë kërkesë për herë te parë.
Të gjithë te interesuarit e tjerë do të njoftohen publikisht dhe zyrtarisht nga ana e ATP mbi ecurinë e dosjeve të tyre.
Pronarët që do të aplikojnë deri në datë 23 maj për njohje pronësie duhet të kenë me vete vetëm dy dokumente:

1. Një dokument origjine prone të nxjerrë nga arkiva e shtetit.
2. Një pozicionim hartografik të pronës që pretendojnë t’u njihet.

Qytetarët që do të vijnë pranë Agjencisë do plotësojnë formularin e aplikimit për të cilin do te keni mundësinë të konsultoheni me punonjësit e Agjencisë. Ketë formular mund ta shkarkoni edhe në faqen tonë web: www.atp.gov.al gjithashtu mund ta dorëzoni këtë grup dokumentesh edhe përmes postës, duke i postuar deri në datë 23 maj 2016.
Për çdo informacion mund të na kontaktoni në numrin e telefonit vënë në dispozicion nga ATP për qytetarët: 04 2256642

Ju falënderoj për vëmendjen!