Njoftim Për Shtyp 23/12/2013

Duke qënë koshiente në lidhje me sensibilitetin e madh që ka procesi i Kompensimit Financiar për pronarët dhe subjektet e shpronësuar, të cilët prej vitesh presin realizimin  e të drejtave të tyre mbi pronën;

• Duke qënë e sigurt në transparencën e realizuar në përmbylljen e këtij procesi ku vetëm në 45 ditët e fundit iu nënshtrua një shqyrtimi intensiv, të drejtë e ligjor, bazuar në legjislacionin në fuqi për kompensimin e pronave;

• Duke vlerësuar se procesi i Kompensimit u hap nga Qeveria e mëparshme në fund te muajit gusht përmes një Vendimi Qeverie në kundërshtim me ligjin në fuqi për Kthimin dhe kompensimin e pronave në të cilin parashikohet se fondi për kompensim duhet të ekzekutohet brenda 6 mujorit të parë të cdo viti buxhetor; Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sapo ka përfunduar procesin e Kompensimit Fnanciar për vitin 2013.

Ju vë në dijeni se nga 1098 aplikues u permbyllën me vlerësim 358 dosje (200 prej të cilave u verifikuan 45 ditët e fundit, mbasi u morr vendimi për shtyrje afati të procedurës administrative 3 mujore për shqyrtim).

Si konkluzion nga fondi 300.000.000 (treqind milion) lekë të akorduara nga buxheti i shtetit për vitin 2013, përfitojnë këtë vit 50 aplikues – trashëgimtarët ligjor të subjekteve të shpronësuar në krahasim me një vit më parë ku për të njëjtin fond u shpallën 33 përfitues. Përsa i përket procesit të filluar në fund të muajit gusht (28 gusht) dhe menyrën se si u menaxhua ky proces deri në 20 nëntor (data kur duhet të përfundonte afati 3 mujor i shqyrtimit të 1098 aplikimeve), shprehim rezerva në lidhje me rregullueshmërinë e procedurave të ndjekura deri në atë moment nga administratorët e parë të këtij procesi të cilët me veprimet dhe mos veprimet e tyre vijuan një proces të mbyllur dhe jo transparent. Deri përpara 1 muaji e gjysëm kjo Agjenci kishte aktivizuar vetëm 156 dosjet e para për shqyrtim sipas rendit kronologjik të vendimeve duke rrezikuar ecurinë normale dhe të rregullt të procesit si dhe shpërndarjen e plotë të fondit të akorduar.

Këto veprime sollën jo vetëm vonesë në shpërndarjen e fondit por, lanë pa shqyrtim administrativ mbi 700 aplikime qytetarësh.

Megjithatë sqaroj se këto 700 aplikime perfaqësojnë vendime të vonshme për kompensim, për të cilat bazuar në renditjen kronologjike të vendimeve të tyre gjendemi në kushtet e pamjaftueshmërisë së fondit të akorduar nga buxheti i shtetit për vitin 2013.

Ndërkohë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sugjeron për të gjithë përfaqësuesit e të shpronësuarve, aplikimet e të cilëve u skualifikuan administrativisht për shkak të parregullësive të evidentuara gjatë shqyrtimit të dokumentacionit ligjor dhe hartografik të paraqitur, të mundesojnë korrigjimin e tyre në rrugë administrative dhe gjyqësore me qëllim depozitimin e rregullt të këtij aplikimi në procesin e ardhshëm të kompensimit financiar sipas buxhetit të shtetit të parashikuar për vitin në vijim.

Gjithashtu gjej rastin të siguroj të gjithë qytetarët të cilëve u është mbyllur dera e transparencës për pretendimet e tyre pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që ne do të nisim një proces pune transparent, të rregullt dhe ligjor për shqyrtimin e të gjitha dosjeve ende të pashqyrtuara në një periudhë sa më të shkurtër por dhe reale kohe.
Agjencia është duke punuar intensivisht dhe do të dalë me propozime konkrete, për të siguruar një reformë ligjore dhe administrative në fushën e kthimit dhe kompensimit te pronave në mbështetje të Programit të Qeverisë dhe në respektim të të drejtave të pronarëve në lidhje me këtë proces.

 

Drejtor i Përgjitshëm

Sonila QATO