VENDIM
Nr.120, datë 17.2.2011
PËR SHPËRBLIMIN E PRONARËVE DHE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15/1 e 32, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Gjirokastrës, të Lezhës, të Elbasanit, të Korçës, të Durrësit të Fierit, të Beratit dhe të Shkodrës.
2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 112 699.87 (njëqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë tetëdhetë e shtatë) m², tokë truall, me vlerë të përgjithshme 1 256 137 435.22 (një miliard e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katërqind e tridhjetë e pesë pikë njëzet e dy) lekë.
3. Vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, të parashikuar nga ligji nr.10 239, datë 25.2.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”.
4. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përputhje me këtë vendim, të kryejë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha